Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se stadiumi i Gjilanit po bëhet.
“Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar”, ka njoftuar ministri Çeku.
Ministri Çeku ka bërë të ditur se në marrëveshjen e sotme me kryetarin e komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë zotuar 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit.
“Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë”, ka thënë ai.
Më tej, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka treguar se është duke u përgatitur kallëzim penal ndaj palëve që kanë bërë shkelje në të kaluarën e këtij stadiumi, siç njofton edhe vetë ministri, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit.