Ukraina ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa dhe dronë mëngjesin e 17 shtatorit, duke shënjestruar kryesisht pjesët jugore të rajonit të Odesës, përderisa Moska dhe rajonet e tjera në Rusi kanë raportuar për sulme ukrainase me dronë.
Ukraina në ditët e fundit ka kryer një seri të sulmeve ndaj caqeve ushtarake ruse në Krimenë e pushtuar dhe ndaj ndërtesave të Flotës së Detit të Zi të marinës ruse.
Sulmet brenda Rusisë, larg nga vijat e frontit, po ashtu janë rritur dhe kryetari i Moskës ka thënë se të paktën dy dronë u rrëzuan në rajonin e kryeqytetit rus.
Ndërkaq, sulmet ruse ndaj infrastrukturës së porteve në Ukrainë kanë vazhduar dhe më 17 shtator, autoritetet ukrainase raportuan se një ndërtesë e agrikulturës në rajonin jugor të Odesës ishte cak i sulmeve ajrore ruse.
Rusia ka kryer sulme me gjashtë dronë Shahed – të prodhimit iranian – dhe ka lëshuar dhjetë raketa lundruese, ndërkaq forcat ukrainase kanë shkatërruar gjashtë dronë dhe gjashtë raketa para se ato të arrinin cakun, thanë forcat ajrore ukrainase.
“Avionët luftarakë, njësitet kundërajrore, grupet mobile luftuese dhe mjete të tjera sulmuese u përfshin në zmbrapsjen e sulmeve ajrore”, thanë forcat ajrore të Ukrainës.
Sulmet ajrore në Odesa vijnë një ditë pasi Kievi ka thënë se dy anije mallrash arritën në brigjet e saj duke përdorur një korridor të përkohshëm lundrimi për në portet në Detin e Zi. Këto anije u ngarkuan me drithëra, që destinacion kanë tregjet afrikane dhe aziatike.
Muajin e kaluar, Ukraina ka njoftuar për një “korridor humanitar” në Detin e Zi, për të mundësuar që anijet të lundrojnë nga portet e saj për të shmangur një bllokadë de facto që u krijua pasi Rusia braktisi marrëveshjen që i mundësonte Kievit të eksportonte sigurt drithërat e saj përmes porteve në Detin e Zi.
Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes ka shkruar në Telegram se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar gjashtë dronë në rajonin e pushtuar ukrainas të Krimesë.
Kjo Ministri nuk ka treguar nëse ka pasur dëme apo viktima në gadishullin, që Rusia e aneksoi paligjshëm më 2014.
Në rajonin e Moskës, një dron u shkatërrua mbi qarkun Istra, ndërkaq një tjetër mbi qarkun Ramenski, shkroi në Tegram kreu i Moskës, Sergei Sobyanin. Ai shtoi se nuk ka dëme apo viktima.
Agjencitë shtetërore të lajmeve në Rusi kanë raportuar se të paktën 30 fluturime janë shtyrë apo anuluar në tri aeroportet kryesore të kryeqytetit rus.
Në jugperëndim të Rusisë, një dron ukrainas ka dëmtuar një depo nafte mëngjesin e 17 shtatorit, duke shkaktuar zjarr, i cili më pas është shuar, raportuan autoritetet lokale.
Në adresimin e tij gjatë natës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 16 shtator falënderoi aleatët e shtetit të tij për mbështetjen e vazhdueshme për luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus.
Zelensky pritet që javën tjetër të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara, ku do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden dhe ligjvënës të lartë të Kongresit nga të dyja partitë. Ai po ashtu pritet t’i adresohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që zhvillon punimet javën e ardhshme. /REL