Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi i nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, priste të kishte rezultat më të mirë.
Në një postim në Facebook, Lajçak ka thënë se situata e tensionuar në veri të Kosovës dhe dialogu do të jenë objekt i diskutimeve të ardhshme strategjike me partnerët amerikanë dhe evropianë për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm.
“Siç është shprehur tashmë në komentet e shtypit, ne shpresonim për një rezultat më të mirë. Gjendja e lojës në Dialog, së bashku me situatën e tensionuar në veri të Kosovës do të jenë objekt i diskutimeve të ardhshme strategjike me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm”, shkroi ai.
Pas takimit të nivelit të lartë, Lajçak iu është drejtuar ambasadorëve të vendeve anëtare BE-së, në Bruksel.
“Unë jam mirënjohës për interesimin e tyre në Dialog dhe për mbështetjen e tyre të fortë. U takova gjithashtu me Drejtorin e Çështjeve Politike dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Këshillit të Evropës Miroslav Papa, të cilin e informova për Dialogun. Vlerësoj shkëmbimin interesant për zhvillimet në Këshillin e Evropës dhe konfirmimin e bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm në promovimin e standardeve evropiane në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.