Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar raportin me statistikat mujore për energjinë e muajit janar të vitit 2022, në krahasim me vitin paraprak të po të njëjtit muaj.
Sipas raportit të ASK-së, prodhimi i energjisë bruto nga termocentralet e Kosovës në janarin e vitit 2022, krahasuar me janarin e vitit të kaluar, ka pasur rënie për 13,08%.
Kjo i bie që nga 604.529 megavat energji të prodhuar në janarin e vitit 2021, prodhimi në janarin e 2022-tës ka rënë në 525.431.
Po ashtu, në raport jepen statistika për konsumin e energjisë, i cili, në krahasim me vitin e kaluar, ka pasur rritje prej 4.52%.
“Energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 869.42 Gwh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 536.21 Gwh, ose 4.52% më i madh sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 7.6%”, thuhet në raportin e ASK-së.
Rritjes së konsumit të energjisë në janarin e vitit aktual i ka paraprirë edhe rritja e prodhimit të thëngjillit.
Në raport thuhet se “prodhimi i thëngjillit ishte 7.83 mijë ton, ose rreth 26.88% më shumë sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak”.
Por, edhe pse ka pasur rritje të prodhimit, rezultatet e raportit thonë se sasia e transformuar në energji elektrike në vitin 2022 ka pasur rënie 11,31%.
Ky publikim nga ASK-ja, është publikimi i parë i tillë për muajin referues të janarit të 2022-ës.