Analisti, Bardhyl Hasanpapaj në lidhje me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak po anon nga Serbia ka thënë se ka një kohë që pala kosovare ka dyshuar që ndërmjetuesit po anojnë nga pala serbe dhe sot kjo u shpërfaq në mënyrë eksplicite nga vetë kryeministri.
Hasanpapaj në emisionin “FIVE” ka thënë se me anë të këtyre deklaratave po luhet me zjarrin dhe nuk dihet se kush do të digjet.
“Është vështirë të besohet, doli në një konferencë për shtyp, ishte një fjalim mirë i menduar, sulmi ishte pjesë e strategjitë së tij për të nxjerrë në sipërfaqe që ai mendon që po bëhet padrejtësisht nga negociatori. Por po luhet me zjarrin dhe nuk dihet se kush do të digjet, nuk dihet si do të menaxhohet. Dialogu është kusht për cdo proces të Kosovës”, ka thënë Hasanpapaj.
Sipas tij, pas kësaj situate, Kosova nuk dihet se si do të kthehet në tryezën e dialogut.
Ndryshe, sot në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, kishte koordinim dhe sinkronizim të qëndrimeve mes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.