Pashko Vasa, i quajtur edhe Vaso Pashë Shkodrani, lindi në Shkodër më 17 shtator 1825.
I ati quhej Mhill (Hilë) Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja, e motra do ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit.
Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulë prej Mirdite dhe ishin vendosë në qytet, n’atë shtëpí ku sot është shtëpia-muzé e Pashko Vasës.
Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 gjer më 1847, ku pat mundësinë me përmirsue dijet e tij në gjuhët e hueja: Italisht, Frëngjisht, Turqisht dhe Greqisht. Gjithashtu kishte njohuni ne ‘anglisht e serbisht.
Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për lirí. Ai muer pjesë gjallnisht në radhët e forcave forcave kryengritëse italiane.
Në Bolonjë u caktue si oficer i Kalorsís Qytetare.
I frymëzuem nga atdhetarët e shquem italian, si Mazzini,Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për kët qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias.
Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtë, nga Daniele Manin, muer pjesë përkrah popullsisë kryengritëse t’atij qyteti që u rrethue nga austriakët. Nderkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largue me disa shokë tjerë për n’Ankona. Atje austriakët e kapne dhe e detyruen, si shqiptar me nenshtetësi turke, t’ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish xên vend në shoqënin e tramvajeve të qytetit, tue u ngjithë ma vonë në shkallët e administratës së saj.
Që këtej u vendos me punë n’aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorís Osmane. Perandoria merrte nepër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme që me lanë përshtypjen se shteti i përkiste gjithëve.
Disa nga atdhetarët diten me i përdorë postet në dobí të çashtjes shqiptare. Nga disa të dhana që nxirren prej përmbledhjes me vjersha italisht “Rose e spine”-“Drandofilla e gjemba”, botue në Stamboll më 1873, mësojmë se Pashko Vasa ka qenë i martuem me nji shqiptare (rreth 1855), që vdiq më 1872.
Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa së paku që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se P. Vasa ka shërbye disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkoder.
Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshi Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për nji kryengritje antiosmane në Shqipní të Veriut, në Mirditë. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhun me shkronjat e shkollat shqipe, si dhe me caktimin e nji alfabeti të vetëm.
Më 1867 ai qëndron në krye të perpjekjeve për themelimin e nji shoqnie kulturore dhe të nji alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e nji shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, gjithënji në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen per krijimin e nji organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip».
Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të rrojtur i lirë dhe i pavarur.
Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).
Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese.
Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve.
E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare.
Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).
Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.