Qeveria italiane e krahut të djathtë e ka miratuar të hënën një paketë me masa të ashpra për ta kufizuar migrimin e paligjshëm përmes Mesdheut, pas një fluksi me mijëra migrantë në javën e kaluar.
Për pasojë janë stërngarkuar qendrat e imigrimit.
Kabineti i kryeministres italiane, Giorgia Meloni ka vendosur që ta rrisë periudhën maksimale të ndalimit nga gjashtë muaj në 18 të tillë.
Periudha e shtuar është e nevojshme për të vërtetuar nëse një person ka të drejtë të qëndrojë në Itali, apo të dëbohet menjëherë prej qendrave të ndalimit.
Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes do të krijojë “struktura” për t’i ndaluar migrantët që kanë hyrë në Itali ilegalisht.
Disa burime kanë thënë se të gjithë pjesëmarrësit në takim kanë qenë të të njëjtit mendim për ashpërsim të rregullave për migrantët.
Ditëve të fundit, mijëra migrantë kanë kaluar në ishullin italian në Lampeduzas, pas një udhe të gjatë me anije nga Afrika.
Vetëm të martën e javës së kaluar, më shumë se 5.000 persona kanë arritur në këtë ishull mes Sicilisë dhe Afrikës së Veriut – rekord brenda 24 orëve.
Meloni ka thënë se një qasje më e ashpër është e domosdoshme.
Në të njëjtën kohë, ajo u ka shpallur luftë bandave të kontrabandistëve.
“Lufta kundër migrimit masiv dhe trafikantëve është luftë për Italinë dhe për Evropën”.
Lufta kundër migrimit të paligjshëm ka qenë një prej zotimeve kryesore të Melonit në fushatë parazgjedhore.
Ajo është në krye të politikave italiane qe 11 muaj./REL