Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, të mërkurën e 18 majit, ka pritur në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e dy qeverive, dhe për të lëvizur drejt nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike në të mirë të qytetarëve, mirëqenies së përgjithshme dhe zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve.
Bislimi ndër të tjera, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez, dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të tyre në zhvillimin e vendit.
“E ardhmja e dy shteteve tona është në BE. Përkushtimi ndaj Procesit të Berlinit dhe përmbushjes së agjendës evropiane, janë objektiva tona të përbashkëta. Bashkëpunimi rajonal është një prej mënyrave përmes së cilës konsolidojmë përafrimin e vendeve tona dhe angazhimin pozitiv ndaj fqinjësisë së mirë”, ka thënë Bislimi.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka vizituar Kosovën ku nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama është nderuar me çelësin e Kryeqytetit, të quajtur “Çelësi i Qytetit”.