Në Shqipëri, Gykata e Posaçme e Apelit refuzoi sot një tjetër kërkesë të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Vendimi i sotëm e lë sërish në paraburgimin zotin Beleri, i cili u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit nën dyshimet e korrupsionit në zgjedhje.
Javën e shkuar Prokuroria e Posaçme, njoftoi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes, e cila ka provokuar një përplasje të fortë mes Tiranës dhe Athinës. Kryeministri shqiptar ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk mund të pranojë ndërhyrje në sistemin e Drejtësisë.
Ndërsa autoritetet greke po përdorin mjete të ndryshme diplomatike dhe juridike për të ndikuar procesin, duke kërcënuar dhe me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Dje kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se “marëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë janë lënë në hije nga rasti i burgosjes së Fredi Belerit”.
Ndërsa sot për të ndjekur seancën në Gjykatën e Posaçme të Apelit, përveç ambasadores greke në Tiranë, ishin dhe dy avokatë grekë dhe presidenti i Avokatëve Pa Kufi. Në një konferencë për shtyp ata deklaruan se në rastin e zotit Beleri ka shkelje të konventës europiane për të drejtat e njeriut dhe se mbajtja e tij në paraburgim është sipas tyre, “joproporcionale, edhe me shkeljen e pretenduar“. /VoA