Shtete të ndryshme të botës janë solidarizuar me Ukrainën, për shkak të agresionit rus në këtë vend.
Derisa shtetet e fuqishme botërore kanë dërguar armë dhe para, Kosova vazhdimisht ka qenë në mbështetje të Ukrainës në mënyra të ndryshme.
Deri më tani Kosova u është bashkëngjitur shteteve demokratike me sanksione të ndryshme ndaj Rusisë.
Por së fundmi, ndihmat materiale nga Kosova kanë arritur në Ukrainë.
Aktivistë të nismës “Youth Community Project -Prishtina”, kishin dërguar ndihma në spitalin ushtarak të Zaporizhzhia, ndërsa këta të fundit e kanë falënderuar publikisht Kosovën për këto ndihma.
Edhe pse Ukraina nuk e njeh ende Republikën e Kosovës, ushtarët ukrainas nuk e kanë pasur problem që ta falënderojnë Kosovën, duke përdorur edhe flamurin e Kosovës.
“Faleminderit për përkrahjen nga populli i Kosovës! Ndihma juaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne!”, thuhet në shkrimin e këtij spitali.
Ndërkohë, sot nga Kosova për në Ukrainë është nisur një tjetër kontingjent ndihmash.
Me një ceremoni të organizuar, është nisur nga Podujeva për në Ukrainë kontigjenti i ndihmave të grumbulluara nga aksioni i organizuar në bashkëpunim mes Komunës së Podujevës dhe ushtarëve ukrainas që shërbejnë në Kosovë.