Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka shprehur shqetësim për pamjet filmike të publikuara lidhur me qasjen e edukatoreve dhe trajtimin ndaj një fëmije 3-vjeçar në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë.
Momentet e të ushqyerit, të pushimit, të gjumit apo të aktiviteteve dhe lojërave të tjera, janë të natyrës edukative dhe rekreative.
“Prandaj, çdo qasje e papërshtatshme, e vrazhdë apo e dhunshme e përdorur nga edukatoret, për të detyruar fëmijën që t’i realizojë ato përmes presionit, tërheqjes, zvarritjes, dhunës verbale apo fizike, përbën një shkelje të rëndë e cila dëmton të gjitha sferat e zhvillimit të fëmijës”, ka shkruar KOMF në rrjetin social në Facebook.
KOMF ka bërë thirrje që të intensifikohet monitorimi dhe inspektimi sistematik i kopshteve përmes inspektorëve dhe konsultimeve me prindërit në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla.
“Kopshtet duhet të kenë politikë apo rregullore të posaçme për mbrojtjen e fëmijës me qëllim të krijimit të një sistemi të brendshëm që parandalon dhe reagon ndaj shkeljeve të të drejtave të fëmijës”, thuhet, ndër të tjera, në reagimin publik të KOMF-it.