Avokati i një prej edukatoreve të çerdhes “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë, Bajram Zogiani, ka hedhur poshtë akuzat ndaj klientes së tij, ku thuhet se ka përdorur dhunë.
Avokati i edukatores Naime Musa, tha se rasti nuk është siç shihet në incizime, dhe, sipas tij, është hiperbolizuar fillimisht nga mediet e më pas nga familjarët.
Zogiani, teksa mohoi akuzat për keqtrajtim, shtoi se qëllimi i edukatores ishte mbrojtja e fëmijës.
“Unë jam avokat i Naime Musa, intervistimi ka zgjat 40 minuta, kjo çështje është duke u zmadhuar së tepërmi, së pari nga mediat e më pastaj nga prindërit”, tha Zogiani.
Ai, po ashtu, pyeti se nga kush janë publikuar pamjet dhe se a janë verifikuar ato.
“Akuzë nuk ka ende, ajo po akuzohet për sjellje jo të mirë e që nuk është e vërtetë. Është një punëtore që punon që 24 vjet në këtë institucion dhe që nuk ka qenë në asnjë procedurë gjyqësore. Unë i kam shikuar pamjet dhe ajo fillimisht është ndalesë që mos të dalë jashtë dhe nuk ishte duke e përballuar vendosjen në çerdhe”.
“Ajo është vetëm një ndalesë e cila i është bërë fëmijës në mënyrë që mos të dalë nga objekti, pasi që ai është në adaptim njëmujor, është që 15 ditë i vendosur në çerdhe dhe nuk po e përballon vendosjen në çerdhe. Nuk ka qenë tërheqje zvarrë, vetëm një ndalesë. Vendimi nuk dihet ende, pritet. Nuk janë as ndaluar, as të arrestuar, pritet përgjigjja nga prokurori”, shtoi Zogiani./KP