Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe njëherit shefi OSBE-së, Bujar Osmani, ka njoftuar se sot do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Azerbajxhanit, Bayramov Jeyhun dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan.
Sipas Osmanit, qëllimi i këtij takimi do të jetë për t’i dhënë përparësi përpjekjeve drejt paqes së qëndrueshme.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga raportet për operacionet ushtarake dhe rrezikun që lidhet me civilët në Stepanakert/Khankendi”, ka deklaruar ai.
Më tej, shefi i OSBE-së ka thënë se vetmja alternativë që duhet të mbizotërojë është dialogu.
“Unë bëj thirrje për ulje të menjëhershme të tensionit. Dialogu paqësor duhet të jetë alternativa e vetme dhe shqetësimet humanitare duhet të mbizotërojnë”, ka përfunduar Osmani në Twitter.