Policia e Kosovës ka njoftuar se është informuar në lidhje me rastin e rrahjes së 3-vjeçarit në një kopsht në Fushë-Kosovë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë Kosovë”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Sipas policisë, zyrtarët janë duke mbledhur provat dhe duke intervistuar personat që kanë mundur të jenë të implikuar në rast.
“Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato”, thuhet tutje në komunikatë.
Megjithatë, policia nuk ka njoftuar për të arrestuar në lidhje me këtë rast, pavarësisht se më herët u raportua se tri edukatore janë intervistuar.