Shqipëria, të mërkurën e 20 shtatorit, do të drejtojë seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar fotografi nga oborri i OKB-së, ku ka thënë se sot Shqipëria do të ulet në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit, për të drejtuar një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit.
Ndryshe, mbrëmë përmes një videoje, Rama ka thënë se kjo mbledhje do të jetë më e rëndësishmja që prej fillimit të luftës në Ukrainë, ku është shprehur se në fokus do të jenë pasojat e agresionit të luftës në Ukrainë.
“Si pjesë e programit të punës të Këshillit të Sigurimit gjatë muajit shtator, nën kryesimin e Shqipërisë, Këshilli do të mblidhet nesër për atë që me gjasë, është takimi më i rëndësishëm për Ukrainën, qysh prej fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia”, ka thënë Rama.