Policia e Kosovës do të shkatërrojë të gjitha armët ilegale që janë konfiskuar, e që për to kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore.
Organizimi për shkatërrimin e tyre do të fillojë nga ora 10:00, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në fshatin Prelez.
Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar pati deklaruar se janë 250 mijë armë ilegale nëpër duart e qytetarëve.
Ndryshe, policia ka njoftuar se në kuadër të urdhrit operativ “Sezoni veror 2022” ka kontrolluar 329 mijë vetura, kurse në “Sezonin dimëror 2022-23” ka kontrolluar 160 mijë vetura.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, në vazhdimësi ka ndërmarrë aktivitet, ka hartuar e zbatuar plane operative, ka ndërmarrë fushata me qëllim të ofrimit të sigurisë në përgjithësi dhe gjetjen e konfiskimin e armëve pa leje në veçanti.