Raisi kërkon që SHBA-ja të demonstrojë se dëshiron të kthehet në marrëveshjen bërthamore

Gjatë një fjalimi para një takimi vjetor të nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Raisi tha se tërheqja amerikane nga marrëveshja shkeli zotimet e Shteteve të Bashkuara dhe ishte “një përgjigje e papërshtatshme” ndaj përmbushjes së zotimeve të Iranit

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha se shteti i tij kurrë nuk do të heqë dorë nga e drejta “për të pasur energji paqësore bërthamore” dhe i bëri thirrje Uashingtonit “të demonstrojë” se dëshiron të kthehet në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Gjatë një fjalimi para një takimi vjetor të nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Raisi tha se tërheqja amerikane nga marrëveshja shkeli zotimet e Shteteve të Bashkuara dhe ishte “një përgjigje e papërshtatshme” ndaj përmbushjes së zotimeve të Iranit.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja më 2018 dhe rivendosi sanksionet e ashpra ndaj Republikës Islamike. Një vit më vonë, Irani nisi të shkelte marrëveshjen dhe nisën bisedimet në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes. Por, bisedimet dështuan në gusht të vitit 2022.

Për një kohë të gjatë Irani ka mohuar se synon të krijojë armë bërthamore dhe insiston se programi i tij ka qëllime krejtësisht paqësore. Këtë qëndrim e përsëriti Raisi në OKB, duke thënë se “armët bërthamore nuk kanë vend në doktrinën mbrojtëse dhe atë ushtarake” të shtetit të tij.

Por, shefi për mbikëqyrje bërthamore në OKB, Rafael Grossi, gjatë një interviste dhënë të hënën për Associated Press, tha se heqja e kamerave dhe e sistemeve të tjera monitoruese elektronike nga Irani ia bëjnë të pamundur Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore që të japë garanci për programin bërthamor të Teheranit. Më herët, Grossi kishte paralajmëruar se Irani ka pasuruar mjaftueshëm uranium dhe mund të krijojë me to “disa” bomba bërthamore, nëse dëshiron.

Drejtori i kësaj agjencie të OKB-së, po ashtu, kërkoi që të takohej me Raisin, për ta bindur që Teherani të heqë dorë nga ndalesat që ka vendosur për inspektorët e agjencisë.

Raisi nuk përmendi inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, por Bashkimi Evropian të martën mbrëma lëshoi një deklaratë në të cilën thuhej se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u takua me ministrin e Jashtëm iranian dhe në takim ngriti çështjen e marrëveshjes bërthamore, të inspektorëve, por edhe të arrestimit të shumë shtetasve të BE-së që kanë shtetësi të dyfishtë.

Gjatë takimit me kryediplomatin iranian, Hossein Amirabdollahian, BE-ja tha se Borrelli i bëri thirrje Iranit që ta shqyrtojë ndalesën e vendosur ndaj inspektorëve bërthamorë dhe të përmirësojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.

Borrell sërish i bëri thirrje Qeverisë iraniane që të ndalë bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, u tha në deklaratën e BE-së. Shtetet perëndimore kanë thënë se Irani e furnizon Rusinë me dronë ushtarakë, të cilat Moska i përdor kundër Ukrainës. Por, pretendime të tilla janë hedhur poshtë nga Teherani./REL

Shija e redaktorit

Osmani uron mirëseardhje Starlink-ut në Kosovë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka shkruar Osmani në...

Elon Musk njofton: Starlink tashmë është edhe në Kosovë

Starlink, platforma e internetit satelitor të Starlink Services, LLC, një degë në pronësi të plotë të kompanisë amerikane të hapësirës ajrore SpaceX të Elon...

Edi Rama merr dhuratë nga Rexhep Selimi: Ma përcolli sot...

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka marrë dhuratë një pikturë me përkrenaren e Skënderbeut nga Rexhep Selimi. Në një postim në rrjetet sociale<a href="http://<iframe src="https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fposts%2Fpfbid02PQ6a5X5tJPRH6vFVLUxs9rQnDsKmcvppdUZMx7anrnr2hL4B3rkAacb8eHe9So3el&show_text=true&width=500"...

Të fundit nga rubrika