Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar se një person është gjetur pa shenja jetë dhe, sipas tij, ai dyshohet të jetë i qëlluar me armë zjarri.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij”, ka deklaruar ai.
Më tutje, ai ka thënë se për këtë vrasje një person është vetëdorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë.
“Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, ka thënë Elezaj.
Sipas tij, policia në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.