Këshilltari i përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Christian Ramet, ka thënë se Bashkimi Evropian ka kërkuar nga palët që të fillojnë pa vonesë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura.
“Kur të implementohet marrëveshja e Ohrit, do të hapen mundësi që nuk kanë qenë më herët dhe do të ketë benefite për Kosovën. Kjo besoj që është arritja me e madhe e dialogut deri më tani. Por duhet të fillojë implementimi i marrëveshjes dhe aneksit. Marrëveshja ka ndodhur qe tre muaj dhe nuk ka ndodhur asnjë progres. Shumë potencial ka humbur në menaxhimin e krizës dhe uljes së tensioneve. Kur ka tensione nuk ka hapësirë për dialog dhe normalizim. Ajo që BE pret është implementimi, sigurisht. BE u kërkon palëve që të fillojnë pa vonesë zbatimin dhe të gjitha marrëveshjet e tjera”, tha Ramet, raporton EO.
Deklaratën e tij e ka mbështetur edhe Cynthia Cook, nga Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila ka thënë se ShBA-ja është mbështetësi më i madh i Kosovës.
Ajo thotë se Kosova e Serbia duhet të angazhohen menjëherë për zbatim të marrëveshjes për Asociacionin.
“Kosova e Serbia duhet të angazhohen menjëherë për zbatim të marrëveshjes për Asociacionin. Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet se Asociacioni është një obligim ekzistues, por edhe po të mos ishte, ne besojmë që është ajo që i nevojitet Kosovës ta realizojë potencialin e saj për të gjithë. Besojmë që është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Cook.