Pasi Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj dy edukatoreve dhe kuzhinieres, Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim, me të cilin obligon Drejtorinë e Arsimit në Fushë-Kosovë që menjëherë të suspendojë nga puna tri punëtoret e çerdhes “Gëzimi ynë”.
Këtë e ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, Edona Kutleshi, këshilltarja e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim, me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë-Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, ka thënë Kutleshi.
Kutleshi ka bërë të ditur se me anë të këtij vendimi është kërkuar që të merren masa edhe ndaj drejtoreshës së këtij institucioni.
“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të arsimit në Fushë-Kosovë që të marrë masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë-Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, ka vijuar ajo.
Ndryshe, ndaj një trevjeçari është shfaqur dhunë nga edukatoret e kopshtit publik “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë, pamjet ku edukatoret ushtruan dhunë u publikuan nga familjarët e tij, ditën e hënë.
Gjykata Themelore ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarat.
Siç është bërë e ditur nga Prokuroria, fëmijës i janë bërë ekzaminimet mjekoligjore. Në bazë të rezultateve, “dyshohet se të pandehurat duke i keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”.