Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka bërë të ditur se ka nisur notë verbale disa vendeve lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Megjithatë, ministria në konfirmimin për REL-in nuk ka dhënë më shumë hollësi për përmbajtjen e letrës, duke thënë se nuk mund ta komentojë.
Nota verbale nënkupton komunikim diplomatik mes dy qeverive përmes përfaqësuesve diplomatikë të njëra-tjetrës.
Dialogu i fundit mes Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar më 14 shtator dhe ka përfunduar pa u arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur kritika ndaj ndërmjetësuesit të dialogut, Mirosllav Lajçak, dhe ka paralajmëruar takime me faktorët ndërkombëtarë që kanë njohur shtetin e Kosovës.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai gjithashtu ka theksuar se Kosova duhet të fillojë procesin për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ambasadori Hovenier ka shprehur shpresën se kryeministri Kurti do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim strategjik.
Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar për pasoja dhe ka theksuar se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj përparimit të Kosovës, por duhet të respektohen detyrimet dhe interesat e Qeverisë së Kosovës.