Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se kërkesa për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore është e duhur, pasi opozita duhet të dijë se si pushteti e ka menaxhuar furnizimin me rezervat shtetërore.
“Ne po dëshirojmë të dimë se si është menaxhuar me rezervat shtetërore. Duam ta dimë se cila është procedura që është ndjekur në tërësi për furnizimin me rezerva shtetërore”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka fajësuar shefen e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila e quajti “kërkesë të pakuptimtë” themelimin e këtij komisioni duke i thënë se edhe më herët ka pasur interferimin nga ana e saj në sistemin e drejtësisë.
“Kusari-Lila duhet ta dijë se pushtetet janë të ndara dhe momenti kur një shefe e GP të VV-së thotë se prokuroria ka bërë spektakël, këtu është ndikimi politik mbi prokurorinë”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë se menaxhimi me rezervat shtetërore, përveç në sytë e hetuesisë, duhet të shihet edhe në perspektivën politike.
“Ne po dojmë me pa këtë megaskandal edhe në perspektivën politike”, ka theksuar ai.
Ndryshe, shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka paraqitur para deputetëve propozimin për formimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.