Janë bërë 23 vjet që kur në Burgun e Dubravës ishte kryer një ndër masakrat më të mëdha në Kosovë nga regjimi serb.
Në pranverën e vitit 1999, kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballeshin me ashpërsinë e forcave serbe në çdo cep të Kosovës, Aleanca Veriatlantike (NATO), me urdhërin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, më 24 mars të vitit 1999 filloi bombardimet e para kundër caqeve ushtarake e policore serbe.
Për humbjet që pësonin në frontet e luftës dhe nga bombat e NATO-s, ushtria dhe policia serbe, si hakmarrje kishte nisur të kryejë malltretime, dhunime, vrasje e krime mbi popullatën civile dhe mbi të burgosurit shqiptarë.
Në maj të vitit 1999, pushteti serb kishte organizuar një krim të planifikuar mbi të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës, i cili në atë kohë ishte burg i sigurisë së lartë.
I njëjti, gjatë luftës së fundit në Kosovë përdorej edhe si vend strehimi i forcave policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë.
Masakra e Dubravës është kryer nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999.
Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.
Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, për të cilën ende nuk është dënuar askush.