Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten ka vendosur që tre të pandehurve S.N, Q.Th dhe Rr.K t’ua caktojë masën e paraburgimit me nga një muaj, dy ditë pas arrestimit nga Policia e Kosovës.
Siç ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë, S.N akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprës penale në bashkëkryerje Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Ndërsa, Q.Th për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe i pandehuri Rr.K për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjyqtari ka vlerësuar se ka rrethana që tregojnë për rrezikun e ikjes së të pandehurve, ndikimin në dëshmitarë dhe pesha e rëndë e veprës penale.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër tre të pandehurve dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni caktohet në bazë të nenit 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurve, ndikimi në dëshmitarë si dhe pesha e rëndë e veprës penale, andaj i njëjti ka konstatuar se masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë, për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale, në këtë çështje juridiko – penale”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e të pandehurve kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit në lidhje me këtë vendim, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.