Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në Rrugën e Kombit, përkatësisht në autostradën Kalimash-Morinë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë, duke shkaktuar një viktimë dhe duke lënë të plagosur një person tjetër.
Në afërsi të urës së Kolshit, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rruge, duke përfunduar në greminë rreth 100 metra poshtë rrugës.
Policia ka mbërritur në vendngjarje për hetime të mëtejshme.
Policia dhe forcat zjarrfikëse janë gjendur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen nga mjeti të trupit të pajetë të 25-vjeçarit.
Viktima dhe i plagosuri, i cili është në gjendje të rëndë, ndodhen në Spitalin Rajonal të Kukësit, ndërkohë që nuk dihet ende identiteti i tyre, shkruan A2 CNN.
Shkak mendohet të ketë qenë pakujdesia dhe manovrimi jo si duhet i automjetit pasi në rrugë nuk janë vënë re gjurmë të frenimit.
Pjesa e rrugës, nga ku ka dalë automjeti jashtë saj nuk ka trafikndarëse.
Ndryshe, një aksident tjetër tragjik ka ndodhur mëngjesin e 19 majit në aksin rrugor Milot-Mamurras, ku një familje është përfshirë në ngjarje dhe si pasojë, gruaja ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i mjetit taksi që po i transportonte dhe dy fëmijët, ndodhen ndërkohë në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ata janë transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës, ku po marrin edhe ndihmën përkatëse nga mjeku.
Policia ndodhet në vendngjarje ndërkohë dhe po heton shkaqet e plota të aksidentit.