Policia e Kosovës ka njoftuar për një incident zjarri në Lipjan, ku janë prekur dy objekte, një me ushqim për kafshë dhe një me pajisje bujqësore.
Ndërsa, për shkak të tymit, tretman mjekësor ka pranuar një zjarrfikës.
Gjithashtu, nga zjarri janë prekur edhe dy serra në vend.
Në këtë moment, ekipet e zjarrfikësve dhe policia janë në vendngjarje dhe janë duke punuar për ta menaxhuar situatën.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur për portalin Dukagjini se njëri nga zjarrfikësit është dëmtuar nga tymi dhe është trajtuar nga ekipet mjekësore.
Deri më tani shkaqet që kanë shkaktuar shpërthimin e zjarrit ende nuk dihen.
“Sot rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në Lipjan. Bazuar në të dhënat e deritanishme, nga zjarri janë përfshitë dy objekte ( një me ushqim për kafshë dhe një me pajisje bujqësore) si dhe dy serra. Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia, të cilët po merren me rastin. Për shkak të tymit, tretman mjekësor ka pranuar një zjarrfikës. Aktualisht, ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë punën për lokalizimin e zjarrit”, ka deklaruar Ahmeti.
Po ashtu, raportohet se zjarri ka përfshirë edhe fushat përreth.
Pamje ka publikuar faqja “Vrojtuesit e Lagjes -Lipjan”.