“Kundër arrestimit të djeshëm të tre të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, Beogradi ka urdhëruar që të hidhet granatë luftarake në Mahallën e Boshnjakëve në Mitrovicë”.
Kështu ka deklaruar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke thënë se kjo është një kundërpërgjigje e Serbisë pas arrestimit të tre serbëve, të cilët dyshohen për masakra e tortura ndaj shqiptarëve në Vushtrri e në Burgun e Smrekonicës.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se krimet e luftës duhet të dënohen në emër të paqes dhe në emër të të ardhmes e të dyshuarit për krime lufte duhet të vendosen para drejtësisë.
“Është fatkeqësi që Serbia udhëhiqet edhe tash nga një qeveri që mbron, strehon dhe adhuron kriminelët e luftës. Kundër arrestimit të djeshëm të tre të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, Beogradi ka urdhëruar që të hidhet granatë luftarake në Mahallën e Boshnjakëve në Mitrovicë. Kjo tregon qartazi mentalitetin e Vuçiqit dhe njerëzve të tij dhe se si i qasen ata të kaluarës gjenocidale”, ka shkruar Aliu.
Ai ka thënë se Vuçiqi vazhdon të mendojë e të veprojë njëjtë siç ka bërë edhe në kohën sa i shërbente Millosheviqit, por siç thotë ai, tani “mundësitë i ka shumë më të vogla”.
“Kriminelët e luftës do të dënohen, sepse Kosova është e angazhuar për normalitet, drejtësi dhe paqe. Akte të tilla terroriste nuk kalojnë”, ka vijuar ai.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmi me granatë dore në Lagjen e Boshnjakëve ka ardhur si reagim ndaj arrestimit të tre serbëve të akuzuar për krime gjatë luftës në Kosovë.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas mesnatës të së enjtes në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ka pasur një shpërthim.
Këtë e ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani.
Ai ka thënë se dyshohet se shpërthimi ka të bëjë me granatë të dorës M75.
“Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar dyshohet se kemi të bëjmë me shpërthim të granatës së dorës M75”, ka thënë Elshani.
Përveç dëmeve të vogla materiale, nuk u raportua për të lënduar.