Policia e Kosovës ka arrestuar një 44-vjeçar në Gjilan, në lidhje me një rast të dyshuar për trafikim të narkotikëve.
Personi i arrestuar, sipas njoftimit nga Policia, është identifikuar si E. F., i lindur në vitin 1979.
Sipas informatave të policisë, E. F. dyshohet se ka kryer veprën penale të “blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Gjatë aktivitetit të tij të shpërndarjes së narkotikëve, veçanërisht kokainës, ai ka përdorur një shtëpi me qira dhe ka shfrytëzuar një veturë nga shërbimi “rent a car”.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, ka kryer një kontroll të banesës së E. F., dhe në rezultat është gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 6.4 gramëve të dyshuara si kokainë, 1.5 gramë marihuanë, para të gatshme, një makinë dhe pesë telefona celularë.
“Sot, më 22.09.2023, Policia ka arrestuar personin e dyshuar. Në koordinim me organet e drejtësisë është bërë kontrolli i banesës së të dyshuarit ku janë konfiskuar: 6.4 gramë substancë, që dyshohet të jetë kokainë, 1.5 gramë, dyshohet të jetë marihuanë, para të gatshme, një veturë dhe pesë telefona celularë”, thuhet në njoftim.
Pas këtij kontrolli dhe në konsultim me prokurorin kompetent, prokurori ka vendosur që E. F. të ndalohet për 48 orë pas intervistimit.