Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ka thënë se “kjo ka qenë e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.
Osmani ka thënë se këto sulme dëshmojnë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.
“Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit, si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.
Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë dhe “i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë”.
“Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Shkaku i situatës së krijuar, presidentja Osmani i ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.