Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vrasja e policit dhe plagosja e një tjetri në Banjskë të Zveçanit, është sulm kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.
“Dënoj ashpër këtë agresion të Serbisë dhe bëj thirrje tek partnerët tanë që të veprojnë, të dënojnë ashpër këtë akt dhe të jenë me Republikën e Kosovës duke marrë kështu anën e së drejtës. Nuk duhet të ketë qëndrime indiferente apo pozicionim që nuk i kontribuon sundimit të ligjit dhe drejtësisë. Krimi është i qartë, ka adresë dhe organizim, dhe ai është Beogradi zyrtar me në krye Vuçiqin”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shprehur ngushëllime për familjen e policit të vrarë.
“Mbetet përkushtimi ynë që drejtësia të bëhet, krimi dhe terrorizmi të luftohen edhe në veri të vendit, dhe që paqja dhe stabiliteti të triumfojë në tërë Kosovën. Jemi me Policinë e Republikës tonë, në përpjekjen e tyre të pashembullt për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, në luftën e tyre për rend dhe ligj”.