Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rura, Faton Peci, ka reaguar në lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e 24 shtatorit, ku mbeti një polic i vrarë dhe një tjetër i plagosur.
Peci ka thënë se ky sulm është agresion i hapur i Serbisë.
“Vendosja e rendit dhe ligjit në komunat në veri të vendit ka shqetësuar të gjitha qarqet politike, grupet e interesit dhe grupet kriminale, të cilat nuk dëshirojnë të shohin prezencë të shtetit të Kosovës në këto komuna. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është agresion i hapur i Serbisë. Kërcënimet e ditëve të fundit për trazira në veri, lë të nënkuptojmë se ky agresion i paralajmëruar, gjithashtu është i koordinuar. Dikush ende po mban iluzione mbi paqësimin e shtetit-parti në krye të së cilit është pasardhësi ideologjik dhe politik i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Gjaku i dëshmorit Afrim Bunjaku na obligon që shteti i Kosovës të forcohet edhe më shumë. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Peci në Facebook.