Një pjesëtar i grupit kriminal serb ka mbetur i vrarë nga Policia e Kosovës në zonën e fshatit Banjska në veri, konkretisht afër manastirit.
Sipas policisë, kjo ka ardhur pasi janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen sulmeve të bandave kriminale, të cilat ende po e sulmojnë policinë.
“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, thuhet në njoftim…
Në njoftimin e policisë thuhet se situata në atë zonë vazhdon të jetë e tensionuar, ku sipas tyre, kohë pas kohe grupet e organizuara kriminale po vazhdojnë t’i sulmojnë me armë zjarri njësitet e Policisë së Kosovës.
“Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sulmuesit, sipas Policisë së Kosovës, janë profesionalë dhe në numër të konsiderushëm, po ashtu të armatosur rëndë dhe të veshur me uniforma ushtarake.
“Sulmuesit profesionalë në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se për shkaqe sigurie janë mbyllur për qarkullim dy vendkalime kufitare në veri, ajo e Jarinjës dhe Bërnjakut, derisa kanë bërë thirrje që për qarkullim të shfrytëzohen pikat e tjera.