Mbretëria e Bashkuar, do të vendosë sanksione të reja për të ndaluar linjat ajrore ruse shtetërore Aeroflot, Ural Airlines dhe Rossiya Airlines të shesin vendet e tyre të papërdorura të uljes në aeroportet britanike.
Sekretarja e Jashtme Liz Truss, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka mbyllur tashmë hapësirën e saj ajrore për linjat ajrore ruse.
“Megjithatë, do të sigurohet që ato të mos mund të marrin para në vendet e tyre fitimprurëse të uljes në aeroportet tona”, ka thënë Truss, shkruan Reuters.
Sipas Reuters, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se vlerëson se vendet e uljes kanë vlerë 50 milionë funte.
Ndryshe, ministrat e Jashtëm të Austrisë dhe Estonisë, kanë thënë se ka mundësi që të organizojnë paketën e gjashtë të sanksioneve ndaj Rusisë. Ministrat janë shprehur se janë të bindur se “paketa do të përfundojë ditëve në vijim”.
Ndërsa, BE-ja ka rritur veprimet e saj ekonomike kundër Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Doke folur para një takimi të Komitetit të Përbashkët BE-Kanada në Bruksel, Ministri i Jashtëm austriak Schallenberg ka thënë se paketa e gjashtë e sanksioneve do të ishte “shumë thelbësore”, por kishte ende “nevojë për diskutim”, raportonte CNN.
Ndërkaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, më tetë maj kishte njoftuar për sanksionet e reja që po i ndërmerr për të ndëshkuar Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Biden bashkë me udhëheqësit e vendeve të G7-ës, janë takuar virtualisht me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të dielën, me të cilin kanë diskutuar veprimet e mëtejshme që SHBA-ja dhe aleatët e saj po ndërmarrin kundër Rusisë.
Të njëjtat përfshijnë sanksione kundër tri kanaleve më të mëdha televizive ruse, dhe një angazhim nga çdo anëtar i G7-ës për të hequr gradualisht importet e naftës ruse.
Kështu ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i administratës së SHBA-së.