Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se ka vizituar policin, i cili u plagos në sulmin terrorist në mëngjesin e sotëm nga ana e një grupi kriminal serb në fshatin Banjskë të Zveçanit.
“Vizitova policin Alban Rashiti, i cili u plagos në sulmin terrorist të mëngjesit të sotëm, dhe u gëzova që ishte mirë dhe jashtë rrezikut”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje, ai ka theksuar se “vullneti dhe vendosmëria e tij dhe e kolegëve të tij, për t’i shërbyer vendit dhe uniformës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë, na e konfirmon besimin se Kosova ka ndërtuar institucione të shkëlqyeshme të sigurisë”.
“Mirënjohje e falënderim për Albanin dhe të gjithë pjestarët e policisë tonë, të cilët gjithmonë janë në shërbim të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Krasniqi.
Ndryshe, rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjskë të Zveçanit, është sulmuar Policia e Kosovës, ku mbeti i vrarë edhe polici i Kosovës, me gradën rreshter, Afrim Bunjaku.