Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për sulmet në veri, ku humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në këto biseda telefonike, Borrell ka thirrur për rivendosjen e qetësisë dhe të stabilitetit.
Ai u ka bërë thirrje sulmuesve të dorëzohen menjëherë.
“Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti. Ai dënoi me shprehjet më të forta agresionin e sotëm”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe i uroi shërim të shpejtë policit të plagosur.
Borrell edhe gjatë bisedës me Vuçiqin, ka bërë thirrje për rivendosjen e qetësisë.
“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe të stabilitetit”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, ai ka njoftuar se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s.
Përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet.