Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se referimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për Kosovën si precedent për të ndërhyrë në punët e një shteti tjetër më të vogël, “nuk është asgjë më shumë se gënjeshtër”.
I pari i ekzekutivit ka potencuar se ashtu siç nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.
Gjatë qëndrimit të tij në Washington, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte mysafir i platformës “Front Page” të Këshillit Atlantik për të diskutuar rreth prioriteteve të politikave vendore, politikës së jashtme dhe agjendës së tij, drejt përmbushjes së tyre.
“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, kjo tregon një shpërfillje të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe të përgjegjësisë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare – norma që sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk do të dështojë më për të ndalur gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
“Mohim, shmangie dhe mashtrim”
“Kjo ishte dhe është ende strategjia e Rusisë në Ukrainë. Tani është adoptuar edhe nga përfaqësuesja e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Serbia”, ka thënë i pari i qeverisë.
Kosova për të disatën herë është bërë pjesë e retorikës së Putinit.
Ai e ka përmendur Kosovën gjatë takimit të tij me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres.
Mesazhi që presidenti rus ia ka dhënë Guterres, ishte se kur Kosova mund të shpallë pavarësinë e saj, pse nuk munden edhe Donjecku dhe Luhansku, duke bërë krahasim se që të dy rastet janë të njëjta.
“Rusia e interesuar të hapë fronte të tjera beteje”
Sipas kryeministrit Kurti, Rusia është e interesuar të hapë fronte të tjera beteje në mënyrë që të ndjekë strategjinë e saj “përshkallëzim për shpërshkallëzimin”, për të siguruar një pozicion më të mirë negociues për të arritur qëllimet e saj në Ukrainë.
“Duke pasur parasysh marrëdhëniet dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, mbështetjen e saj për pushtimin e Ukrainës, dhe duke pasur parasysh faktin se Republika Srpska në Bosnje kontrollohet nga Moska po aq sa edhe nga Beogradi, rreziku i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor është fatkeqësisht i lartë”, është shprehur Kurti.
“Kosova është tregimi i suksesit demokratik të rajonit”
Kurti, teksa ka folur për të arriturat e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga vetë ai, ka kërkuar sërish mbështetje me ndihmë më të madhe ekonomike.
Ai ka kërkuar, po ashtu, mbështetje ndaj Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme.
“Mos e vëni në dyshim, zhbërja e përparimit tonë në Kosovë do të ishte fitorja e vetme më e madhe që mund të dëshironte presidenti despotik Putin. Kjo është arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij me vendin tonë”.
Ai, po ashtu, teksa i ka potencuar marrëdhëniet e veçanta me SHBA-të, ka shprehur falënderim drejt tyre si mik vendimtar, aleat kritik dhe partner i domosodoshëm.
“SHBA-të janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës. Jo vetëm sepse historia jonë është e thurur në kohë çlirimi dhe nevoje, por sepse ne jemi të lidhur me vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, kryeministri Kurti tashmë më shumë se një javë po qëndron në SHBA për vizitë zyrtare.