Operacioni i policisë në Manastirin e Banjskës, pritet prezantimi i armëve të konfiskuara

Policia e Kosovës do të mbajë konferencë për media të hënën, për të prezantuar arsenalin e armëve të konfiskuar gjatë operacionit të së dielës në Manastir të Banjskës në Zveçan

Oficerët e Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë më 24 shtator, 2023.

Policia e Kosovës do të mbajë një konferencë për media të hënën, duke filluar nga ora 14:30. Konferenca do të organizohet në Kampin e Njësive Speciale “Enver Zymeri”, pas sulmeve terroriste në veri, më saktësisht, në fshatin Banjskë.

Në këtë konferencë për media, Policia e Kosovës do të prezantojë arsenalin e armëve të llojeve dhe të kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike që janë konfiskuar gjatë operacioneve të tyre në këtë zonë.

Policia kishte ekspozuar disa nga armët dhe municionet që janë konfiskuar gjatë operacionit të ndërmarrë të dielën në Manastirin e Banjskës në Zveçan.

Operacioni i policisë ka rezultuar në zbulimin e një game të gjerë të armëve dhe të municionit të ndryshëm.

Armë, municion, e pajisje tjera ushtarake të sekuestruara në manastirin e Banjskës të Zveçanit.

Autoritetet fillimisht kanë raportuar për gjetjen e dhjetëra qindra armëve të llojeve dhe të kalibrave të ndryshëm, përfshirë uniforma dhe pajisje logjistike.

Në inventarin e sekuestruar përfshihen armë ushtarake të kalibrit të rëndë, si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov dhe shumë të tjera.

Operacioni është kryer nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe është koordinuar me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in.

Armë, municion, e pajisje tjera ushtarake të sekuestruara në manastirin e Banjskës të Zveçanit.
Armë, municion, e pajisje tjera ushtarake të sekuestruara në manastirin e Banjskës të Zveçanit.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tashmë në orët e hershme të mëngjesit ka dërguar disa automjete në Manastirin e Banjskës, në veri të Kosovës.

Ndërsa, nata e së dielës në pjesën veriore të vendit ka kaluar e qetë dhe pa incidente.

Në komunikatën e fundit të dielën në mbrëmje, policia ka vlerësuar se situata në Banjskë është e tensionuar por më e qetë.

Orët e para të së dielës nisën me sulme nga grupe terroriste serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku i vdekur mbeti Afrim Bunjaku, polic i Kosovës dhe u lënduan tre policë të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri.

Të vdekur mbetën edhe tre sulmues.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, të dielën ka thënë se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri dhe e ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të këtij institucioni.

“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë prej afër situatën në Banjskë, dhe trupat e KFOR-it janë prezentë në këtë zonë, të gatshëm të reagojnë, nëse kërkohet. Komandanti i KFOR-ut është në kontakt direkt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për ta gjetur një zgjidhje”, është thënë në deklaratë.

Në orët e mbrëmjes të së dielës, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, ka deklaruar Sveçla, por nuk ka thënë nëse personat e tjerë të armatosur janë larguar.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar gjashtë persona të dyshuar për përfshirjen e tyre në sulmin ndaj policisë. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë veprat terroriste.

“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika