Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka përsëritur sërish se BE-ja dënon sulmin e ndodhur në Banjskë të Zveçanit, teksa ka kërkuar që urgjentisht të ketë depërshkallëzim të situatës dhe palët t’i kthehen dialogut.
“Ne duhet të gjejmë një mënyrë jashtë krizave të vazhdueshme dhe t’i kthehemi zgjidhjes normale të problemeve përmes dialogut, sepse deeskalimi nevojitet urgjentisht, dhe kjo u nënvizua në mënyrë shumë të dhimbshme dje, por edhe ditë më parë, javë më parë, e madje edhe muaj më parë”, ka thënë Stano.
Stano ka thënë se BE-ja përmes deklaratave ka qenë shumë e qartë se çfarë duhet të bëjnë të dyja palët për të kontribuuar në deeskalim dhe drejt rrugës për normalizim të marrëdhënieve.
“BE-ja është shumë e qartë, ne jemi ndërmjetës. Të dyja palët duan të anëtarësohen në BE dhe rruga e tyre është përmes dialogut. Ne nuk duhet të merremi me kriza të rrezikshme siç kemi tani, por duhet t’i ndihmojmë ata. Të gjitha këto janë thënë shumë qartë në njoftimin e anëtarëve të BE-së se si duhet të sillen për të hyrë në BE”, ka vijuar Stano.
Ndryshe, në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup kriminal serb në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra, një u plagos, ndërsa dy të tjerë u lënduan.
Grupi i armatosur më pas u strehua në Manastirin e Banjskës dhe gjatë ditës u përlesh me Policinë e Kosovës.
Të dielën, autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe i një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona janë arrestuar.