Avokati Shkelzen Sopjani, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se sulmi ndaj Policisë së Kosovës dje ka qenë e planifikuar.
“Ka qenë paraprakisht e planifikuar nëse mund të themi ka qenë edhe e paralajmëruar në mënyrë shumë indirekte nga vetë Vuçiqi dhe akterë tjerë në Serbi përmes kërcënimeve, shpeshherë të drejtëpërdrejta dhe të hapura”, ka thënë Sopjani.
Sopjani ka thënë se qëllimi i sulmit të djeshëm në veri ka qenë krijimi i një situate të re në atë pjesë të vendit.
“Qëllimi i kësaj ka qenë krijimi i një situate të re në veri që të fillojnë konfliktin, të barrikadohen në atë pjesë, të largohet prezenca e Policisë së Republikës së Kosovës nga ajo pjesë dhe të shpallin ndonjë pavarësi apo autonomi shumë të zgjeruar të asaj pjese, ku do të krijonin një gjendje të re faktike, e cila ndoshta më pas do t’i shërbente Vuçiqit për bisedime në tavolinë”, ka thënë Sopjani.
Ditën e djeshme në Banjskë të Komunës së Zveçanit, u sulmua Policia e Kosovës, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë, një zyrtar policor i plagosur dhe dy të tjerë të lënduar.
Rreshteri i vrarë policor, Afrim Bunjaku është varrosur sot derisa në ceremoninë e varrimit kanë qenë të pranishëm edhe krerët e shtetit, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Kryeministri Kurti në ceremoninë e varrimit të rreshterit policor, Afrim Bunjaku ka thënë se përpara se të varroset si një hero në tokën e tij, portreti dhe profili i tij le të skaliten në kujtesën fotografike dhe “në mbamendjen tonë kolektive” si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori.
Ai gjatë fjalimit të tij ka thënë se përballë këtyre strukturave armiqësore me të cilat Kosova u përball dje do të ngadhënjejë me përpjekjen për rend e ligj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e varrimit të policit, Afrim Bunjaku ka thënë se ai është hero i secilit shqiptar dhe se ka bërë sakrificën më sublime, duke u bërë hero i kombit.
Lexo dhe: Osmani: Afrim Bunjaku, hero i secilit shqiptar
“Jemi mbledhur këtu me zemër të thyer dhe pikëllim të thellë për të nderuar një rreshter të përkushtuar i cili dje bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës”, ka thënë Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e varrimit të policit Afrim Bunjaku, ka thënë se ai ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës sonë.
Konjufca, ditën e 24 shtatorit e quan tragjike për familjen, miqtë e vendin.
Lexo dhe: Konjufca: 24 shtatori – dita kur emri i Afrim Bunjakut u lartësua në piedestalin e dëshmorëve
“Dita 24 shtator, ditë tragjike e humbjen së jetës së tij, ditë e dhimbjes për familjen dhe miqtë, po ashtu është dita kur emri i Afrim Bunjakut u lartësua në piedestalin e dëshmorëve. Rreshteri Bunjaku dje mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënia e tij do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm se si mbrohet atdheu. Dje ishte ditë e rëndë për Kosovën, demokracinë dhe paqen në rajon. Serbia edhe njëherë përmes strukturave terroriste paramilitare e sulmoi shtetin e pavarur e sovran të Kosovës edhe pse lufta me Serbinë përfundoi më 1999, Kosova po vazhdon ta mbrojë lirinë e saj dhe pavarësinë me gjakun e dëshmorëve”, u shpreh ai.
Kujtojmë që ky sulm u dënua ashpër edhe nga ndërkombëtarët.