Sot pritet të mbahet seanca dëgjimore për dy të dyshuarit e tjetër për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj V.T, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Banjskë.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se seanca dëgjimore për të dyshuarin në fjalë është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku edhe është i shtrirë për trajtim.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS-së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni 129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T. dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 182 të KPPRK-së dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.