Rruga drejt Manastirit të Banjskës vazhdon të qëndrojë e mbyllur për qytetarët dhe veturat dy ditë pas sulmit të grupit të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës.
Ndërsa, dy patrulla të EULEX-it janë nisur drejt Manastirit të Banjskës.
Ndërkaq, dy vendkalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në ditën e martë.
Mbyllja e vendkalimeve kufitare është vendosur që nga data 24 shtator, pas sulmeve të rënda terroriste në zonën veriore të Kosovës, ku u sulmua Policia e Kosovës.
Në këtë ngjarje tragjike, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe tre të tjerë u plagosën.
Gjatë mëngjesit të së dielës, një grup i armatosur terrorist kreu sulme të koordinuara kundër policisë, duke shkaktuar një situatë të jashtëzakonshme në zonën veriore të Kosovës.
Pas këtyre sulmeve, Policia e Kosovës kërkoi nga autoritetet ndërkombëtare dhe Qeveria serbe që të ndihmojnë në ndërmjetësimin me terroristët dhe të detyrojnë dorëzimin e tyre.
Megjithatë, terroristët refuzuan të dorëzoheshin dhe vazhduan sulmet me armë ndaj forcave të policisë.
Pas një konfrontimi të dhunshëm, tre prej terroristëve u vranë, ndërsa dy prej tyre u arrestuan.
Gjithashtu, katër persona të tjerë janë arrestuar për përfshirje në ngjarjet e dhunshme.