Qeveria e Kosovës të mërkurën, duke filluar nga ora 10:00, do të mbajë mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje, ekzekutivi do të shqyrtojë vendim-propozimin për të mbështetur familjen e rreshterit Afrim Bunjaku, që u vra gjatë kryerjes së detyrës në Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit, në një sulm nga një grup kriminal serb.
Siç bëhet e ditur në rendin e ditës për mbledhjen e 162-të të Qeverisë, pika e dytë është “shqyrtimi i propozim-vendimit për mbështetje të familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, të rënë në detyrë, në Banjskë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/09/Rendi-i-dites-2.pdf
Ndryshe, më 24 shtator, grupi që fillimisht sulmoi policinë e cila po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në Manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi sulmet ndaj policisë.
Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, policia bëri të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.
Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.
Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, se ka udhëhequr grupin prej 30 personash që sulmuan policinë. Për më tepër, këta zyrtarë kanë thënë se Radoiçiq ka marrë pjesë personalisht në sulm.