Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje(LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) janë përplasur të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës, për Fondin e Sigurisë për FSK-në.
Në debatin parlamentar për gjendjen e sigurisë në vend, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli ka kërkuar nga PDK-ja që të mos e pengojë këtë fond.
“Kolegë nga PDK, nëse keni dyshime mund të ngrehni edhe komision hetimor qysh e pëlqeni të thoni, por nëse nuk jeni të gatshëm të kontribuoni, mos bëni thirrje që të pengoni, pasi është një fond, i cili do të ndihmojë infrastrukturën e FSK-së dhe sigurisë komplet në Kosovë”, ka thënë ai.
Mirëpo, deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica ka thënë se nuk e pengojnë asnjë fond, mirëpo ushtria duhet të ngrihet me buxhet të Kosovës dhe mbështetje të aleatëve.
“PDK nuk e pengon asnjë fond, por mendon se ushtria ngritët me buxhet të Kosovës dhe mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve të saj. Kjo është mundësia më e mirë për të ecur në këtë drejtim”, ka theksuar ai.
Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, në seancën e sotme të Kuvendit ku është diskutuar për sigurinë në Kosovë, pati një kritikë ndaj deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) Bekë Berishës.
“Deputeti Berisha sikurse i përziu temat për shkak se tema për të cilën është thirrë është pas agresionit rus mbi Ukrainën dhe situata e sigurisë karshi kësaj situate prandaj edhe fjalimi im do të jetë në këtë temë dhe nuk do të lëshohem në TRUST pensional e pagë minimale sepse nuk është temë e debatit të sotshëm”, ka deklaruar deputeti pozitar.
Tutje, Dugolli bëri të ditur se institucionet e Kosovës kanë shtuar komunikimin me aleatët në drejtim të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe reaguese.
Dugolli ka thënë se sipas tij, Berisha i ka përzier temat sepse debati është thirrur pas agresionit rus ndaj Ukrainës e jo për trustin pensional e pagën minimale, çështje këto të cilat Berisha i përmendi në fjalimin e tij sot.
Ndryshe, gjatë seancës së sotme, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se lufta në Ukrainë e ka vërtetuar akoma më mirë se kush është në të vërtetë Serbia.
Në seancën e së enjtes, Sveçla ka thënë se Kosova është në dijeni të pretendimeve territoriale të Serbisë. Ai ka thënë se tashmë, Kosova është e bindur se parimi i reciprocitetit dhe i barazisë në vendimmarrje janë garantuesit e sigurisë.
Më tej, Sveçla ka thënë se vigjilenca e shtuar është më se e kërkuar nga organet e sigurisë.
Sipas Sveçlës, grupet kriminale që mbështetën drejtpërdrejtë nga Serbia i konsiderojnë si pengesë veprimet e organeve të rendit.
“Përkundër që siguria jonë është sfiduar me metoda të ndryshme nga Serbia, situata në vendin tonë është stabile. Ne jemi siguruar që institucionet të jenë në nivel të lartë profesional. Ne jemi angazhuar që t’u krijojmë kushte pune policisë së Kosovës. Luftimi i çdo lloj krimi të organizuar mbetet synimi ndaj të cilit asnjëherë nuk do të bëjmë kompromis”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka renditur tri suksese të institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Ai në seancën e sotme të Kuvendit, tha se shtrirja e autoritetit të policisë në veri është në interes të vendit.
Sipas tij, lufta ndaj kontrabandës dhe arrestimet e policëve të korruptuar në kufij është për t’u vlerësuar, ndërkohë shtoi si rezultate pozitive edhe luftën kundër drogave në afërsi të shkollave.