Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare, e po atë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste, që, sipas tij, e kanë luftuar në mbi dy vjet e gjysmë.
Kurti ka thënë se sulmi terrorist i së dielës ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh në ruajtjen e kontrollin e kufirit me Serbinë, e bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuhë të qartë e të përveçme dhe kërkesat e prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar, sepse, sipas tij, kufiri me Serbinë më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, e veçanërisht në pjesën veriore, të rrezikshëm e të vështirë e bën sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka theksuar se me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarësh është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë.
“Njëkohësisht pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve, rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm, serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”.
“Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Shfaqen në krah e për krah në një tryezë në Beograd e Rashkë me presidentin e Serbisë duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes”, u shpreh ai.
Siç potencoi kreu i ekzekutivit, përballë kësaj është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën, teksa e cilëson si suksesin më të madh që prej shpalljes së pavarësisë.
“Kjo na bën krenar të gjithëve dhe secilin. Andaj sot ju ftoj që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të policisë kurdo dhe kudo që i shihni”.