Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës.
Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të dalë me një deklaratë të dytë dhe ta dënojë ditën e zisë të shpallur nga Serbia për vdekjen e tre sulmuesve të armatosur në Banjskë të Zveçanit, të dielën.
“Qëndrimin tonë për herë të parë në të paktën në 10 vjetët e fundit e kemi në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së. Ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE-së është një deklaratë e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit”.
Ai ka thënë se e kanë të pamundur të mbështesin deklaratën e parë të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, pa pasur një deklaratë të dytë ku dënohen veprimet e Serbisë. Në thelb, Rama thotë se deklarata e parë nuk ka ndonjë problem pasi adreson ato çka janë thënë edhe më parë.
“E kemi të pamundur të linjëzohemi me BE-në pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i policisë së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd. Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme, madje është e dënueshme, sepse është jo-evropiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për gjithë rajonin dhe për Evropën. Kemi kërkuar që BE-ja, i gjithë komuniteti euroatlantik ta vënë alarmin demokratik në nivelin më të lartë dhe të përdorin të gjithë instrumentat në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd”.
Deri në momentin, kur nuk do të ketë një deklaratë të dytë të BE-së për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, Rama ka thënë se nuk do të linjëzohen me deklaratën e parë.
“Nëse deklarata e dytë bën këtë që po them, dhe nëse ajo e bën këtë që kërkojmë nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë për të cilën kemi punë me Serbinë, ne nuk heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të BE-së dhe komunitetit euroatlantik për Kosovën. Në këtë pikë linja jonë është 100% e BE-së dhe komunitetit euroatlantik. E përsëris ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen e ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, u shpreh Rama.