Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, këtë të mërkurë e ka vizituar familjen e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra nga terroristët serbë në Banjskë.
Lushtaku përmes Facebookut, bëri të ditur se familjen e rreshterit Afrim Bunjaku e ka ngushëlluar ish-presidenti Hashim Thaçi, nëpërmjet telefonit nga Haga.
Sipas Lushtakut ish-presidenti Thaçi është prekur shumë nga rënia heroike e policit Afrim Bunjakut.
“Me miq, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, vizituam familjen e heroit Afrim Bunjaku, për të shprehur ngushëllimet më të thella për sakrificën e heroit më të ri të Republikës, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Nga Haga, përmes telefonit, familjarët e Afrimit i ngushëlloi edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili është prekur thellësisht nga rënia e tij, duke shprehur mirënjohje për sakrificën e lartë të tij në shërbim të atdheut. Ngushëllimet më të thella familjes Bunjaku, miqve dhe dashamirëve! Lavdi veprës së heroit Afrim Bunjaku!”, ka shkruar ai.
Rreshteri Afrim Bunjaku, u vra nga një grup i armatosur terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, krimineli, Milan Radojçiq.
Si kundërpërgjigje Policia e Kosovës, i ka vrarë katër terroristë serbë, disa janë arrestuar dhe disa përfshirë edhe Radojçiq kanë arritur të arratisen.