Akademiku, Rexhep Qosja, ka hedhur kritika në lidhje me mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të ditës së pavarësisë.
17 shkurtin, Qosja e ka cilësuar si ditën e dytë më të madhe për shqiptarët për nga rëndësia.
Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se mosftesa e përfaqësuesve të institucioneve shkencore e kulturore si dhe e përfaqësuesve fetarë ka qenë veprim i gabuar.
“Por, për çudinë e madhe, në këtë solemnitet, ndër mysafirët, nuk u panë përfaqësues të institucioneve shkencore e kulturore të Kosovës, as intelektualë krijues e as përfaqësues të bashkësive fetare! Mungesa e tyre në atë mbledhje mund të quhet hiç më pak se veprim kundër vetvetes.”, ka shkruar Qosja.
Kritika ka pasur edhe për opozitën, të cilët e lëshuan sallën në kohën kur, Kryeministri Albin Kurti ishte duke e mbajtur fjalimin e tij.
Me këtë veprim, sipas Qosjës “ata deshën s’deshën, me qëllim e pa qëllim, krijuan një pamje jo vetëm të pahijshme, por, hiç më pak se kundërkulturore e kundërdemokratike për Kosovën shtet në Botë!”.
Më 17 shkurt të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës, po mbahej mbledhja solemne për nder të pavarësisë. Gjatë fjalimit të kryeministrit Kurti, opozita në fillim filloi të bëjë zhurmë e më pas e lëshuan sallën.
Pjesë e ceremonisë nuk ishin figurat fetare dhe as përfaqësuesë të institucioneve kulturore.