Clark për pjesëmarrjen e Radojçiqit në sulmin e Banjskës: Është një dëshmi e përfshirjes së qeverisë serbe

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, thotë se incidenti në veri të Kosovës përbën një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. Ai tha se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë, ndërsa u shpreh se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, thotë se incidenti në veri të Kosovës përbën një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, teksa është pyetur lidhur me pretendimin se një nga sulmuesit në veri është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojqiq, Clark thotë se kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së Qeverisë serbe.

Sipas tij, incidenti është tregues i një lidhjeje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës.

Kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së qeverisë serbe. Incidenti tregon për rrezikshmërinë që mund të ketë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, është shprehur ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha Radoiçiq, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.

“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Vuçiq tha se Radoiçiqi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.

Ndërkaq, Vuçiq shpalli ditë zie në Serbi për tre terroristët e vdekur.

Lidhur me këtë, Clark tregon se cili është mesazhi i këtij veprimi.

“Si çështje e politikës shtetërore, jo, këta njerëz janë të jashtëligjshëm. Ata shkelën sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe ata që morën pjesë duhet të ndëshkohen dhe të mos njihen si heronj. Por, unë e di se në Serbi dhe në këtë rajon, trashëgimitë e konfliktit që datojnë më shumë se një shekull janë përplasjet etnike, përplasjet fetare, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore e deri në epokën e Titos, përpjekja për të shtypur nacionalizmin shqiptar dhe ardhja e Milosheviçit në pushtet, gjithçka është shoqëruar me dhunë, me urrejtje, me tensione ndëretnike. Dhe është koha për ta ndaluar atë dhe për të ecur përpara në shekullin e 21-të. Është një tragjedi e vërtetë. Më vjen shumë keq për familjen e këtyre njerëzve të vrarë nga të dyja anët. Dhe polici shqiptar që u vra, polici i Kosovës po bënte detyrën”, tha ai.

“Serbët (që ndërmorën sulmin) ishin rebelë, terroristë. Dhe ata nuk meritojnë asnjë njohje zyrtare. Por, sigurisht, është një tragjedi për ta dhe familjet e tyre. Dhe na vjen keq për të gjitha humbjet e jetëve në zonë”, shtoi Clark.

Kur pyetet se çfarë lloj formacioni do të kishte qasje te pajisjet dhe burimet që janë kapur pas neutralizimit të sulmit, Clark potencon se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia.

“Dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatës ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës, në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut. Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe”.

Se si do të ndikojë kjo lidhur me dialogun tashmë të ngecur në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, Clark thekson se fatkeqësisht nuk do ta çojë përpara dialogun.

“Shtetarët e arsyeshëm nga të dyja palët duhet të thonë se kjo duhet të ndalet. Është koha për ta njohur Kosovën, të shkohet përpara dhe të vendoset paqja në rajon. Por, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Por, fuqia e urrejtjes ndëretnike, trashëgimia e më shumë se një shekulli konflikti dhe vdekjesh është kaq e madhe sa mendoj që vendet e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara duhet të bashkohen dhe thjesht ta qetësojnë situatën. Ta ruajnë status quo-në. Nuk do të shohim përparime të shpejta në drejtim të normalizimit. Duhet të gjejmë mënyra të tjera për të forcuar stabilitetin në Ballkan dhe për t’u përkujdesur për njerëzit atje”, u shpreh ai.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika