Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, sot, në seancën e Kuvendit, ka thënë se të dielën Republika e Kosovës u përball me një sulm terrorist diversant, të orkestruar nga shteti serb.
Prandaj, sipas tij, sot, para se gjithash, nuk mund të flitet për betejat e brendshme politike, sepse kanë një temë më të rëndësishme përpara – Kosovën.
“E, Kosova, kolegë të nderuar, sot është nën sulm dhe ne, të gjithë, pa përjashtim, duhet të jemi në krye të detyrave dhe përgjegjësive tona.
Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë nuk është përfundimi i qëllimeve dhe i synimeve të Serbisë karshi Kosovës – që është destabilizimi i skajshëm i saj”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Lideri i PDK-së ka thënë se është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd.
“Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronj nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta – tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se sot, para se gjithash, është tejet e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve të cilët planifikuan dhe realizuan sulmin terrorist mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt, kërkoj mbështetjen e plotë të aleatëve tanë ndërkombëtarë, të cilët duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata.
“Dorëzimi i terroristëve nga ana e shtetit serb, me në krye kriminelin Millan Radojçiq tek autoritetet kosovare duhet të jetë hapi i parë në rrugën përpara. Ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që kanë realizuar në Kosovë. Heroi ynë i rënë, rreshteri Afrim Bunjaku, meriton drejtësi dhe është detyra jonë morale të sigurojmë që përgjegjësit të përballen me pasojat”, ka thënë Memli Krasniqi.
Ai ka thënë se në periudha sfiduese si kjo, kur është cenuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, “për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha”.
“Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë. Objektivi ynë është të mbrojmë atdheun tonë dhe të garantojmë sigurinë e çdo qytetari kosovar – pa dallim feje apo etnie. Prandaj, në këtë periudhë, është thelbësore që të gjithë faktorët politikë, posaçërisht ata shqiptarë, të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të qëndrojnë së bashku në mbështetje të vendit tonë”, ka thënë lideri i opozitës.
Memli Krasniqi ka thënë se do të vijë edhe një kohë për beteja të brendshme, por sot është koha për solidaritet.
“Si parti shtetndërtuese dhe shtetformuese, PDK-ja është e përkushtuar që interesat e Kosovës dhe të qytetarëve të saj t’i vërë mbi gjithçka”, ka thënë ai.
Krasniqi i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nisë një hetim ndërkombëtar emergjent, për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist mbi Kosovën. Ne tashmë jemi të bindur – por duam që me fakte të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare.
“Pa u zbardhur e vërteta e plotë e këtij rasti dhe Serbia të marrë dënimin e merituar, Serbia nuk mund të jetë palë, as e dashur dhe as e besuar për asnjë lloj procesi përpara. Është jetike që Bashkësia Ndërkombëtare të njohë agresionin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, pasi kjo po vazhdon të cenojë integritetin dhe sovranitetin tonë territorial” ka thënë Krasniqi.
Në fund të fjalimit të tij, Krasniqi ka shprehur respektin e tij për organet e sigurisë së vendit, posaçërisht për Policinë e Kosovës.