Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se plani i sulmit në Banjskë ishte i organizuar nga Serbia.
Sipas tij, këtë e shpërfaqi edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në konferencën që e mbajti të dielën e 24 shtatorit, ditën kur u vra polici Afrim Bunjaku.
Abdixhiku ka shtuar se në krye të grupit të terroristëve në veri qëndronte Milan Radojçiq.
“Këtë të diel Kosova u bë cak i një sulmi mirë të organizuar. Në krye qëndronte krimineli tashmë i shndërruar në terrorist, Milan Radojiçiq. Qëllimi ishte krijimi i një realiteti të ri në veri, e për këtë realitet duheshin edhe viktima. Këtë skenar Kosova e kishte të njohur tashmë, kohët kanë ndryshuar, por njerëzit jo aq. Me bashkërendim me aleatë, me guxim e patriotizëm, e diela u shndërrua në një triumf ndaj terrorit. Duhet të falënderoj policët dhe të gjithë pjesëmarrësit e operacionit”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka deklaruar se politika e Serbisë nuk befason dhe se LDK-ja do ta mbështetë Qeverinë çdoherë në përballje me shtetin serb.
“LDK-ja me të gjithë kapacitet e saj do të mbështesë institucionet e Kosovës në përballje të tilla pa dyshim. Por sot na duhet mençuri. Atë që e fituam në Banjskë, na duhet ta fitojmë me politikë. Këtë situatë duhet ta përkthejmë në pozicionin e Kosovës. Bashkërendimi me aleatët sot është jetësor. Duhet t’i mbajmë aleatët në krah. Propozimi i djeshëm i presidentes se vendit është vijë e qëndrimit tonë”, ka thënë ai.